Në shkrimin e tij me titull “Madhështia e Nënë Terezës përballë asaj të Mr.Ipad/od-it“, Gjergji Semani kishte trajtuar sot në Respublica një temë, e cila është mjaft interesante. Veçse, që në krye të saj, pra që në titull, mendova se do e kishte ndërtuar keq, dhe në fakt përmbajtja këtë më konfirmoi.
Mendoj se e ka ndërtuar keq sepse bazohet mbi një krahasim që në vetvete është i çalë, duke u përpjekur të vendosë përballë dy të kundërta që në fakt nuk janë dhe aq të tilla; Jobs dhe Nënë Tereza. Nëse në rastin e të parit shembulli është relativisht i gjetur, përkundrazi, figura e Nënë Terezës është kaq komplekse, saqë të gjithë dualitetin mbi të cilin Semani shtjellon idenë e vetë jo vetëm që nuk e përfaqëson, por pse jo mund edhe ta shpërbëjë.
Çfarë tenton të na ofrojë artikulli, është mospërputhja ndërmjet spiritualizmit/humanizmit me teknologjinë ; njerëzore e para, robotike e dyta, afrimi me natyrën dhe buzëqeshjen dhe empatinë që ofron humanizmi, përballë virtualitetit dhe ftohtësisë dhe obsesionit mbi materialen që ofron teknologjia. Dilema duket se qëndron. Mirëpo, sikurse në përgjithesi dilemat, këtu vihen përballë pra dy pole të kundërt, të cilët, natyrisht, kanë edhe ithtarët e vetë të palëkundur: ata që e shohin natyrën si shpëtim, përkundrejt atyre që shohin teknologjinë si të vetmen rrugë për t’u zhvilluar e për të pasur mirëqënie. Por po kaq në përgjithësi ( edhe pse padyshim jo gjithmonë ) edhe zgjidhja ka një formulë të njohur, që konsiston në një të mesme e cila t’i kënaqë të dyja palët, dhe që në këtë rast do të shprehej pak a shumë kështu : një zhvillim teknologjik i përmbajtur dhe nën kontroll, që përdoret drejt dhe për qëllime humane.
Të rikthehemi tek Nënë Tereza. Semani, në artikullin e vetë, e sheh atë si mishërim të njërit prej poleve. Unë nuk e di përse ai e mendon kështu, por kjo është kryekëput e gabuar. Imazhi i Nënë Terezës vetëm si një nënoke naive dhe e përvuajtur, e cila vendos kompresa mbi ballin e të sëmurit është në vetvete ai naiv, dhe natyrisht që i rremë përsa kohë i paplotë. Eshtë madje kundërprodhues, pse e pikturon figurën e saj si njëpërmasore, kur është më tepër sesa kaq. Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë njerëz që kujdesen për nevojtarë, por nuk mjafton vetëm kjo që të arrish atë universalitet dhe ndikim që arriti Nënë Tereza. Pikërisht këtu qëndron një përmasë tjetër e saj; me përkushtimin, largpamësinë dhe zgjuarësinë e vetë, ajo arriti që kauzën e saj ta mediatizojë, e për rrjedhojë, t’i japë asaj një peshë shumë më të madhe në ndërgjegjen kolektive, sesa një rast i veçuar humanizmi në botën tonë disamiliardëshe. Madje deri aty arriti angazhimi i saj mediatik, sa sot, në mënyrë cinike dhe të pështirë do të thoja, nëpër internet qarkullojnë përherë e më shumë fraza të tipit: “A ishte Nënë Tereza një shenjtore, apo një produkt mediatik?” Kjo çështje është trajtuar në imtësi nëpër studime, artikuj, ese apo biografi të panumërta rreth figurës së saj, ndaj më duket e habitshme sesi e ka anashkaluar Semani.
Pra, për ta përmbledhur, Nënë Tereza jo vetëm që nuk përfaqëson një pol në këtë dilemë, por përkundrazi, është një prej shembujve më të mirë të kompromisit mes të dyjave ; se si media, që përbëhet përherë e më shumë nga teknologji si shtypshkronja, televizorë, radio, kompjutera dhe kamera, internet dhe servera dhe fibra optike ( për fat të keq ende jo me Ipad në atë kohë, për ta bërë edhe më ironike ), mund të shfrytëzohet për të ndihmuar në përhapjen e vlerave humaniste dhe lartësimin e njeriut. Në këtë kuptim, e theksoj, trajtimi që i bën Semani më duket i gabuar, sepse, paradoksalisht, e ngre dilemën e vetë mbi një figurë që përndryshe mund të shërbejë si zgjidhje.
Shënim : shkrimi u botua fillimisht në Respublica më datë 26/10/11
